Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka prezantuar zotimin e tretë të programit të tij qeverisës që është ofrimi i shërbimeve cilësore shëndetësore.
Hamza, në një konferencë për media, tha se kudo në Kosovë ka takuar mijëra qytetarë që janë lodhur nga pasiguria, sistemi i dobët shëndetësor dhe kostoja e lartë e mjekimit.
“Një pensionist pyet veten nëse do t’i blejë ilaçet me dozat e mjaftueshme apo do ta paguajë faturën e energjisë. Një prind pret me muaj për një termin specialistik. Një pacient detyrohet të kërkojë trajtim jashtë vendit, sepse nuk e gjen këtu. Kjo nuk është normale. Dhe kjo duhet të ndryshojë. Prandaj sot kam kënaqësinë të prezantoj zotimin tonë të tretë: Shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për të gjithë. Sepse shëndeti nuk është privilegj. Është e drejtë. Dhe sepse një shtet matet jo nga premtimet që bën, por nga kujdesi që tregon për qytetarët e tij kur ata kanë më së shumti nevojë”, tha Hamza.
Lideri i PDK-së u zotua që Qeveria e udhëhequr nga ai do të zbatojë sigurimet shëndetësore, do të sigurojë furnizim të rregullt me barna esenciale dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike, do të krijojë Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, do ta modernizojë QKUK-në dhe do ta ndërtojë Spitalin Rajonal të Prishtinës.
