Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur mbledhjen e parë me kryesinë e partisë, pas zgjedhjes së tij në këtë pozitë.
Hamza në një konferencë për media pas kësaj mbledhjeje, ku u diskutua për zhvillimet e fundit politike, u shpreh se PDK është gati për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe se do të dalë fituese.
“Më 28 dhjetor, PDK është gati për fitore. Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe një qeveri që punon, që bashkëpunon me akterë të brendshëm dhe partnerë të jashtëm, si dhe që jep rezultate. Jo për improvizim, ndarje dhe ikje nga përgjegjësia. Jemi të bindur dhe besojmë thellë se bashkë me qytetarët, ne do ta hapim një kapitull të ri për vendin”, ka thënë ai.
Hamza ka njoftuar se Kryesia e PDK-së ka marrë vendime kyçe organizative për mobilizimin në çdo komunë, në çdo lagje, me çdo strukturë.
“Ne kemi një platformë të qartë qeverisëse për ekonomi të zhvilluar, stabilitet politik, dialog të përgjegjshëm, sundim të ligjit, investime kapitale dhe integrim euroatlantik. E kemi nisur formimin e ekipit, shtabit zgjedhor dhe përgatitjet për një listë dinjitoze e përfaqësuese të kandidatëve për deputetë. PDK do ta zhvillojë një fushatë të qetë, programore dhe të fokusuar te nevojat e qytetarëve. Ashtu si në fushatat e kaluara, ne do ta shmangim gjuhën e përçarjes dhe do të fokusohemi te rezultatet dhe vizioni ynë për vendin”, ka thënë ai.
