Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar se para dy ditësh ka zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Temë e diskutimit, sipas tij, ka qenë çështja e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se dje është themeluar edhe grupi punues për hartimin e një strategjie shtetërore për apelin.
“Unë dhe kryeministri Albin Kurti jemi takuar para dy ditësh, për çka edhe e falënderoj. Dje është formuar grup punues për strategji shtetërore për apelin ndaj katërshes së UÇK-së”, ka thënë Hamza në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka deklaruar se procesi gjyqësor në Hagë prek themelet e shtetit të Kosovës, duke kërkuar që të respektohet sovraniteti i Kuvendit dhe duke i cilësuar të papranueshme ndërhyrjet dhe presionet ndaj ushtrimit të mandatit të tij.
