Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh burgim ndaj të pandehurit A.N., i shpallur fajtor për tri vepra penale, përfshirë vrasjen dhe vrasjen e rëndë në tentativë.
Aktgjykimi është shpallur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, me trupin gjykues të kryesuar nga Musë Povataj, me anëtarët Veton Ademaj dhe Shaqë Curri.
Sipas aktgjykimit, për veprën penale të vrasjes, të pandehurit i janë shqiptuar 19 vjet burgim. Për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, ai është dënuar me pesë vjet burgim, ndërsa për mbajtjen, kontrollin ose posedimin e paautorizuar të armëve, me një vit burgim.
Pas shqiptimit të dënimeve individuale, gjykata ka caktuar dënimin unik prej 22 vjetësh burgim.



