Sekretari për mërgatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Haliti, ka deklaruar se takimet e fundit brenda partisë janë pjesë e angazhimeve të zakonshme të strukturave dhe jo mbledhje të jashtëzakonshme.
Pas përfundimit të takimit në selinë e LDK-së, Haliti ka thënë se partia po vazhdon punën në bazë të statutit dhe procedurave të saj të brendshme, ndërsa secili funksionar ka përgjegjësitë e veta, raporton lajmi.net
“Janë takime pune, rutinore që i mbajmë si subjekt serioz, një organizatë me këtë përgjegjësi që e kemi. Janë takime pune, natyrisht. Partitë funksionojnë, që bëjnë e organizohen, natyrisht. Ne i kemi detyrat tona, secili anëtar i kryesisë, sekretarët e organizatës, sekretari me degët jashtë, sekretari brenda, ai tjetri, ky tjetri, kryetarët e degëve, secili e ka punën e vet”, deklaroi Haliti.
Ai është pyetur edhe për mundësinë e përshpejtimit të proceseve të brendshme në LDK, duke pasur parasysh zhvillimet politike në vend dhe nevojën për formimin e institucioneve. Haliti ka theksuar se partia do të veprojë duke respektuar afatet dhe rregullat statutare.
“LDK i respekton afatet, procedurat, rregullat, statutin, natyrisht. Interesi shtetëror është formimi i institucioneve shtetërore, edhe kapërcimi i këtij ngërçi. Por, thashë, aspektet e tjera partiake e kanë fushëveprimin e vet. Është demokraci, prandaj respektohen rregullat e statuti, prandaj afatet, mënyra, kushtet, krejt”, u shpreh ai.
Duke folur për raportimet rreth një organizimi në mbështetje të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haliti tha se nuk ka njohuri për një iniciativë të tillë. Ai shtoi se Abdixhiku vazhdon ta ketë mandatin e kryetarit deri në një vendim tjetër të organeve të partisë.
