Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se anëtarësimi në SEPA do të sjellë përfitime vjetore mbi 55 milionë euro, ndërsa BQK-ja po ndërton infrastrukturë moderne për pagesa të menjëhershme dhe qasje në platformat si Apple Pay dhe PayPal.
“Një ndër prioritetet tona kyçe mbetet përgatitja për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA. Këtë proces nuk e shohim vetëm si një reformë teknike, por si një transformim të thellë strukturor, në përputhje me vizionin tonë për integrim evropian dhe rritje të konkurrueshmërisë ekonomike. Në këtë drejtim, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm: Kuvendi ka miratuar tri ligje thelbësore për sistemin bankar, shërbimet e pagesave dhe parandalimin e pastrimit të parave, ndërsa BQK ka nxjerrë 20 akte nënligjore për të siguruar përputhshmëri me standardet e BE-së. Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, kemi dorëzuar aplikimin preliminar për anëtarësim në SEPA dhe jemi të angazhuar intensivisht në grupe punuese rajonale dhe evropiane për të mundësuar qasjen e bankave dhe institucioneve financiare jo-bankare në skemat SEPA dhe për të ulur kostot e transfereve ndërkufitare”, tha ai.
Guvernatori Ismaili tha po ashtu se sipas vlerësimeve aktuale, anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset e Kosovës përmes uljes së kostove të transfereve, rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të kushteve për eksportuesit dhe sektorin privat.
“Në përputhje me këtë vizion, jemi të përkushtuar edhe në ndërtimin e një sistemi modern të pagesave të menjëhershme, sistemin e pagesave të shpejta TIPS Clone, që përbën një komponentë të rëndësishme të ekosistemit të pagesave, ku në këtë drejtim, kemi nënshkruar Letër Qëllimin me Bankën e Italisë. Po ashtu, jemi të angazhuar në grupe punuese teknike dhe drejtuese për të shqyrtuar shërbime shtesë si përdorimi i QR kodeve, kërkesa për pagesë (ang. Request to Pay) dhe përdorimi i identifikuesve alternativë si dhe përzgjedhjen e rrjeteve teknologjike si SWIFT apo Nexi.
Për të përkrahur këtë transformim, BQK ka ndërmarrë disa masa konkrete. Kemi zbatuar standardin IBAN për të gjitha institucionet jobankare, kemi miratuar udhëzues për standardizimin e QR kodeve, kemi integruar Regjistrin e Llogarive dhe atë të Kredive me platformën qeveritare e-Kosova në bashkëpunim me ASHI-në si dhe kemi arritur marrëveshje me Fondin e Kursimeve Pensionale për lidhjen e sistemeve të tij me Regjistrin e Llogarive”, tha Ismaili.
