Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet që dhjetëra qytetarë nga Kosova të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për 14 shtator, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Sipas Gucatit, më 12 shtator do të nisën 5 deri në 6 autobusë me qytetarë, të organizuar nga OVL-UÇK dhe nga vetë qytetarët.
“Autobusët nisën më 12 shtator. Katër autobusë nisën nga Organizata e Veteranëve, ku i falënderojmë disa donatorë të cilët nuk kanë dashur të bëhen publik. Ne do t’i çojmë mbi 400 vetë, të cilët do të shkojnë dhe do të udhëtojnë për Hagë. Kemi informacione që një shumicë bukur e madhe kanë bërë rezervime me avionë nga Shkupi dhe Tirana që do të udhëtojnë drejt Amsterdamit. Është edhe një autobus tjetër nga Podujeva, që është organizuar në mënyrë vetjake nga vetë qytetarët dhe zotriu Nexhmi Muqiqi, i cili edhe ai ka paguar një autobus”, deklaroi ai në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.