Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, kanë qenë të vetëdijshëm se mund të bëheshin objekt i hetimit nga Gjykata Speciale.
Gruda, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se emrat e Thaçit dhe Veselit ishin përmendur në raportin e Dick Martyt dhe se themelimi i një tribunali ishte i pritshëm për hetimin e pretendimeve të ngritura në atë raport.
“Në raportin e Dick Martyt emri i parë që përmendet është i Hashim Thaçit, emri i dytë është Kadri Veseli, ti kujton se Hashim Thaci e Kadri Veseli kanë qenë naivë e nuk e kanë ditë se ata do të jenë objekt i hetimit, tribunalet themelohen për të hetu e gjyku krerët e luftës në Raport të Dick Martyt emri i parë është i Hashim Thaçit, i dyti është i Kadri Veselit e kanë ditë dhe e kanë bërë me vetëdije votimin sepse po mos të bënin e para Kosova ish njollos që po i iknim një të vërtete e dyta do të kishim një tribunal që do të themelohej nga OKB-ja që sot kur të kishte marrë vendim Kosova vec në televizor e kish këqyrë e s’kish pas çka me bë kurgjo duke e themelu këtë tribunal brenda ne e kemi mundësinë që sot me u mbledh në Kuvend dhe me shqyrtu mundësinë e një ligji që e mbron historinë e Kosovës – ka qenë e drejtë dhe ata që e kanë votu themelimin e Gjykatës Speciale i kanë bërë një të mirë Kosovës. Unë nuk kam qenë deputet në atë legjislaturë por po të isha do të votoja pro”, u shpreh Gruda.
Gruda tha se, sipas tij, themelimi i Dhomave të Specializuara brenda sistemit të Kosovës i ka dhënë vendit mundësinë që të ndërmarrë hapa institucionalë lidhur me mënyrën se si trajtohet historia e luftës së Kosovës.




