Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga 10 persona që shisnin kokainë dhe kanabis në lagje të ndryshme të qytetit, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar penalisht.
A2 CNN raporton duke iu referuar burimeve se të arrestuarit janë Mihal Llavdaniti, Klajdi Rondo, Dorian Alikaj, Meteo Rondo, Alsid Cani, Armand Majko,Arben Puleri, Mikel Novi, Dëfrim Rondo dhe Xhuljano Guma. Ata akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
“Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, për implikimin e disa shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, dhe me shërbimet e Komisariateve në varësi, të DVP Gjirokastër, finalizoi fazën e katërt të operacionit policor të koduar “Andromeda”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. Ll., 18 vjeç, K. R., 23 vjeç, M. R., 20 vjeç, D. A., 30 vjeç, A. P., 52 vjeç, A. M., 21 vjeç, A. C., 35 vjeç. Si dhe M. N., 30 vjeç (kapur në datën 26.11.2025), të tetë banues në Gjirokastër. Gjithashtu, u ekzekutua urdhri i Prokurorisë Gjirokastër për ndalimin e shtetasve D. R., 55 vjeç, banues në Gjirokastër, dhe Xh. G., 22 vjeç, banues në Tepelenë”, njofton Policia.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas shisnin lëndë narkotike, Kokainë dhe Cannabis, në Gjirokastër.
