Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm një nen të udhëzimit administrativ që i detyronte pensionistët kontributpagues të paraqisnin dëshmi të shkollimit të fituar para 1 janarit 1991, për të përfituar nga kriteri i kualifikimit.
Sipas njoftimit të Gjykatës të mërkurën, kjo do të thotë se pensionistëve kontributpagues tani do t’u njihen edhe diplomat e fituara pas kësaj date.
“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015 (MPMS), i cili rregullon kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve,” thuhet në njoftim.
Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj. Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji për skemat pensionale nuk e lidh të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore.
