Versioni publik i aktgjykimit do të përmbajë redaktimet përkatëse, ndërsa afati për njoftimet e ankesave më herët ishte zgjatur deri më 27 nëntor.

Gjykata Speciale ka njoftuar se versioni publik i aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, është duke u përgatitur dhe do të publikohet së shpejti.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, në konferencën e rregullt javore, ka theksuar se Paneli i Apelit në këtë rast ua kishte zgjatur afatin ekipeve mbrojtëse dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të paraqitur njoftimet për ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, deri më 27 nëntor.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se versioni publik i aktgjykimit do të përmbajë redaktimet përkatëse.
“Gjatësia e aktgjykimit dhe hapat përkatës proceduralë mund të ndikojnë në kohën e publikimit të tij. Pas shpalljes së aktgjykimit, Trupi Gjykues urdhëroi Prokurorinë, ekipet e Mbrojtjes dhe Mbrojtësin e Viktimave që të paraqesin komentet e tyre lidhur me redaktimet e mundshme, brenda afatit të caktuar nga Trupi Gjykues”.
“Në bazë të këtyre komenteve, Trupi Gjykues përgatit dhe publikon versionin e redaktuar për publikun. Versioni i plotë publik i aktgjykimit do të publikohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Doyle.
Doyle ka bërë të ditur gjithashtu se muajin e kaluar, Trupi Gjykues urdhëroi publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve që përmbajnë dëshmitë e 29 dëshmitarëve.
“Ky vendim pasoi vendimet e mëhershme për publikimin e dëshmive të 20 dëshmitarëve, të cilat deri atëherë ishin konfidenciale”.
Ndërkaq, lidhur me rastin për pengim të drejtësisë, Gjykata Speciale ka njoftuar se ka përfunduar edhe procesi i dërgimit të email-eve për të gjithë personat që kanë aplikuar për të marrë pjesë fizikisht në seancë.
Sipas Speciales, edhe për këtë seancë interesimi për pjesëmarrje ka qenë i madh.
5 nëntori i këtij viti shënoi gjashtëvjetorin e arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Ndërkaq, Jakup Krasniqi u arrestua më 4 nëntor 2020.
Gjykata Speciale, pas një procesi të gjatë gjyqësor, mori vendim dënues, duke shqiptuar gjithsej 81 vjet burgim. Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Krasniqi me 25 vjet, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Në Kosovë u organizuan protesta përmes të cilave u kërkua ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Pas 21 ditësh protestash, ky ligj u miratua në Kuvend, mirëpo presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu sërish për rishqyrtim, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ishte edhe iniciuese e ndryshimeve të propozuara.
Në rast se ndryshimet në ligj nuk përmbyllen brenda 30 ditësh, është paralajmëruar vazhdimi i protestave para institucioneve të vendit. Ndërkaq, Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se është në konsultime me Qeverinë e Kosovës lidhur me ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale