Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarve, zëdhënësit të Qeverisë Arlind Manxhuka dhe deputetit të VV-së Egzon Azemi për veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit nga neni 141 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të akuzuarve Q.E. dhe E.Z. për veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se të akuzuarit Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi janë shpallë fajtor dhe “janë dënuar secili me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muajsh, për veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Ndërsa, “të akuzuarit Q.E. dhe E.Z. janë shpallë fajtor dhe janë dënuar secili me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh, për veprën penale Kanosja”.
Dënimi sipas këtij aktgjykimi do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
