Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka folur për qëndrimin e partisë së tij lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe mundësinë e votimit të kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe LVV-ja, Bekim Sejdiu.
Gjini ka deklaruar se qëndrimi i Aleancës është i qartë që nga 7 qershori dhe se partia e tij nuk e sheh veten të obliguar nga marrëveshjet që mund të arrijnë partitë e tjera politike.
“Qëndrimi i Aleancës është i qartë që prej datës 7 qershor. Ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj çfarëdo marrëveshje që bëjnë dy parti politike të tjera”, tha Gjini.
Ai kritikoi ashpër qeverinë, duke thënë se nuk sheh vullnet për t’u marrë me temat që lidhen me qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës.
“Nuk shohim kurrfarë vullneti të kësaj qeverie me u marrë me çfarëdo teme që ka të bëjë me qytetarin e Kosovës, me të ardhmen e vendit, me planifikimet afatgjata”, u shpreh ai.
I pyetur nëse merr ftesë nga Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku për konsultime lidhur me presidentin, Gjini tha se nuk është i interesuar për atë që e cilësoi si “lojëra të fëmijëve”.




