Shteti i Serbisë, gjatë këtij viti ka shpeshtuar dhe rritur numrin e rasteve të kosovarëve të ndaluar dhe të arrestuar nga autoritetet serbe, derisa ata po e përdornin Serbinë si tranzit për të hyrë apo dal nga Kosova.
Një rast i tillë, është edhe ai i ish pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiut i cili u arrestua më 7 qershor në pikën kufitare Hungari-Serbi derisa po vinte nga Gjermania për në Kosovë.
Autoritetet e drejtësisë atje i kanë shqiptuar fillimisht masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimet se ka kryer “vrasje të rëndë”, ndërsa më 9 korrik i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj.
Dyshimet lidhen me incidentin në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Por, pas arrestimit të tij, Policia e Kosovës pati deklaruar se Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë – ai “ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”.
Në lidhje me arrestimin e tij, ministri i Shtetit gjerman, Gunther Krichbaum ka thënë se po e monitorojnë nga afër arrestimin e Arbnor Spahiut nga autoritetet serbe.
“Ne gjithashtu po monitorojmë nga afër arrestimin e shtetasit kosovar, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe dhe presim që Serbia të sigurojë plotësisht dhe shpejt zbatimin e duhur të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për Drejtësinë, e cila thotë se procedurat penale për veprat penale në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”, ka thënë Krichbaum për lajmi.net.
Përveç Spahiut, ministri gjerman ka përmendur edhe arrestimin e Ndihmësdrejtorit të Serbisë, Igor Popoviç nga Policia e Kosovës, arrestim ky për të cilin ka thënë se po e monitorojnë gjithashtu. “Dialogu dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një shtyllë e një Bashkimi Evropian të fortë. Në këtë frymë, ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër arrestimin e fundit të Ndihmësdrejtorit të Serbisë, Igor Popović, në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale”, ka thënë ministri gjerman Krichbaum.
Ai iu ka kujtuar të gjithë akterëve të përfshirë si në Kosovë edhe në Serbi, se respektimi i standardeve dhe vlerave themelore evropiane, në veçanti sundimi i ligjit, është jetik për procesin e pranimit në BE, shkruan lajmi.net.