Një shtetas i Kosovës, 28-vjeçar, pritet të dëbohet në Kosovë pasi më 2019 kishte shkaktuar një aksident me fatalitet gjatë një gare ilegale me makina.
Kështu ka vendosur Gjykata e Lartë Administrative (OVG) North Rhine-Westphalian në Munster, në njoftimin e publikuar të martën, citon media gjermane “Stern” raportin e AFP-së, transmeton Klankosova.tv.
Në aksidentin e shkaktuar nga 28-vjeçari kosovar, pati vdekur një 43-vjeçare.
Për pasojë, në vitin 2023 ai ishte dënuar me 5 vjet burgim. Qyteti i Duisburgut më pas kishte marrë vendim për dëbimin e tij dhe kishte refuzuar t’ia vazhdonte leje-qëndrimin.
Gjykata Administrative e Dyseldorfit e ka konfirmuar vendimin. Arsyeja që është dhënë ka qenë se personi “vazhdon të paraqesë rrezik në kryerjen e krimeve”.
OVG tani e ka refuzuar ankesën e kosovarit për arsye formale, pasi e njëjta u tha se nuk i ka plotësuar “kërkesat procedurale”.
