Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, në një intervistë ekskluzive për Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, nga Taranto e Italisë, ku po mbahen Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ka folur për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), për përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, si dhe për pritshmëritë nga sportistët kosovarë në këtë edicion.
Gashani ka thënë se Kosova në Asamblenë e Përgjithshme do të paraqitet me rezultate konkrete të punës së bërë deri më tani në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
“Ne jemi të bindur se para asamblesë, para të gjithëve kemi çfarë themi, kemi çfarë të tregojmë, kemi çfarë të dëshmojmë se Kosova ka bërë hapa e po bën hapa të shpejtë në përgatitjen e lojërave. Tani më po kalojmë nga ëndrra, nga vizioni drejt nga strategjia besoj, drejt implementimit. Tani më veç jemi duke filluar me hapa të shpejtë të implementojmë hapat e punët e veprimet, aktivitetet që na çojnë drejt përgatitjes së duhur të pritjes, të mikpritjes së Lojërave Mesdhetare 2030. Një ngjarje tepër e rëndësishme për vendin tonë, një ngjarje që sikur e keni dëgjuar shumë herë nga unë e nga të gjithë, po e trajtojmë si prioritet kombëtar”, theksoi Gashani.
Sipas tij, puna për organizimin e “Prishtina 2030”, tashmë ka hyrë në një fazë tjetër, atë të zbatimit të planifikimeve dhe marrjes së vendimeve konkrete.
“Tashmë jo vetëm që kemi mbajtur takimin e parë të Komitetit Organizativ, por edhe të dytin e kemi mbajtur sepse në takimin e dytë kemi pasur vendimmarrjen në lidhje me përfaqësimin e Kosovës këtu. Dhe ne jemi këtu nga vendimet e marra në atë takim për ta përfaqësuar, për t’i treguar Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së hapat tanë. Dhe po, ashtu siç thatë, ky është hap shumë i madh e i duhur në drejtim të përgjegjësisë së strukturuar të punëve që po na presin”, vijoi tutje Gashani.
Një moment i veçantë për Kosovën në Taranto do të jetë ceremonia e dorëzimit të stafetës për edicionin e ardhshëm të Lojërave Mesdhetare, të cilat do të mbahen në Prishtinë në vitin 2030.
Gashani ka theksuar se pikërisht për këtë arsye përfaqësimi i Kosovës në Taranto është i një rëndësie të veçantë, pasi delegacioni kosovarë do të ketë mundësinë që përmes këtij edicioni të nisë promovimin e Prishtinës si nikoqire e ardhshme.

