Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar dje se nuk e ka braktisur kurrë elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se largimi i saj nga partia ka ndodhur si pasojë e vendimeve të lidershipit të atëhershëm të LDK-së. Ajo ka theksuar gjithashtu se qëndron ende pas kritikave që kishte adresuar në atë periudhë dhe se nuk është penduar për qëndrimet e saj politike.
Sipas saj, për shkak të qëndrimeve të saj politike, ajo është përjashtuar nga lidershipi i atëhershëm, por theksoi se ato qëndrime i qëndron edhe sot.
“Jo, Vjosa Osmani nuk e ka braktis kurrë elektoratin e LDK-së. Elektorati i LDK-së nuk është që janë lidhur me emra, elektorati i LDK-së janë larguar në vitin 2020 për shkak të gabimeve fatale që i ka bërë atëherë lidershipi i atëhershëm i LDK edhe nëse dikush mendon që unë dalë edhe kërkoj falje pse e kam mbrojtur vullnetin e elektoratit të LDK-së le ta harrojë, kurrë e për jetë. Unë nuk jam pishman që e kam mbrojtur secilin premtim para elektoratit të LDK si kandidate për kryeministre. Duke e mbrojtur atë qëndrim mua më ka përjashtuar ai lidership, dhe ato qëndrime i mbaj edhe sot. Nuk është çështje për kërkim falje…”, ka deklaruar ajo në Debat Plus.
Ndërkohë, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka refuzuar të komentojë këto deklarata, duke i cilësuar si të pavlera dhe pa relevancë aktuale politike.
Në një përgjigje për Lajmi.net, Mustafa është shprehur shkurt se nuk sheh arsye për t’u ndalur në tema të tilla që i përkasin së kaluarës.
“Më duket e kotë të merrem me të; si të merrem me borën e vitit të kaluar”, ka deklaruar Mustafa.
Osmani, ka folur dje edhe për akuzat dhe etiketimet ndaj saj në skenën politike, duke thënë se nuk do të lejojë askënd ta quajë me terma që ajo i konsideron të pavërteta dhe fyese.
Osmani theksoi se gjatë gjithë karrierës së saj politike ka vepruar në kundërshtim me pretendimet e tilla dhe se për çdo shpifje apo ofendim do të angazhohen institucionet e drejtësisë.
“Dhe nuk do të lejojë kurrë, asnjëherë askush, pavarësisht cilës parti i takon times apo tjetrës që të dalë dhe të më shpallë mua tradhtare apo shitëse të territorit të vendit tim sepse unë e kam bërë pikërisht të kundërtën dhe për këto gjëra që i kanë thënë dhe shumë e shumë ofendime dhe shpifje që janë bërë natyrisht që janë institucionet e drejtësisë do të merremi andaj jashtë politikes”, ka deklaruar Osmani.
