Një grup i serbëve nga Graçanica dyshohet se kishin planifikuar të lëshonin flamuj me përmbajtje nacionaliste nga ajri, gjatë protestës së sotme në Prishtinë, e organizuar me moton “Jo në emrin tim”.
Sipas burimeve të Dukagjinit, bëhet fjalë për flamuj në të cilët ishte paraqitur imazhi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid, si dhe një flamur tjetër me mbishkrimin e Ushtrisë së Republikës Srpska.
Burimet bëjnë të ditur se grupi dyshohet se kishte planifikuar t’i lëshonte flamujt nga Graçanica drejt zonës ku po mbahej protesta.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se personat që qëndronin prapa këtij plani kishin llogaritur se mjetet kundër dronëve nuk do të mund ta pengonin realizimin e këtij veprimi.
Megjithatë, nuk ka konfirmim publik nga Policia e Kosovës për këtë informacion apo për identitetin e personave që dyshohet se qëndronin prapa planit.

