Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, që do të zgjasë 11 ditë.
Gjatë periudhës 26 nëntor – 6 dhjetor, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, përmes platformës elektronike: https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë.
KQZ ka bërë të ditur se në momentin e regjistrimit, votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit:
“Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.” – thuhet në njoftim.
KQZ ka sqaruar po ashtu se kjo periudhë e regjistrimit vlen vetëm për shtetasit që duan të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, ndërkaq për të votuar në vendvotimin e tyre në Kosovë nuk kanë nevojë të regjistrohen si votues jashtë vendit.
Shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, do të largohen nga Lista e Votuese brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.
Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në Listën Votuese jashtë Kosovës.
