E përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) i ka kushtuar një analizë të gjatë rolit dhe lëvizjeve të fundit diplomatike të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke i lidhur ato drejtpërdrejt me përpjekjet e saj për të siguruar edhe një mandat në krye të shtetit.
Sipas gazetarit Michael Martens, Osmani po përpiqet ta paraqesë veten si figurë të afërt me rrethin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, në një kohë kur mbështetja e brendshme politike për rizgjedhjen e saj konsiderohet e pasigurt.
FAZ shkruan se kjo strategji synon ta shfrytëzojë peshën tradicionale që Shtetet e Bashkuara kanë në politikën dhe sigurinë e Kosovës.
Gazeta përmend paraqitjen e Osmanit në Davos dhe përfshirjen e Kosovës në atë që artikulli e quan “Bordi i Paqes” i lidhur me Trumpin, duke theksuar se presidentja e ka paraqitur këtë si arritje të rëndësishme diplomatike.
Megjithatë, sipas FAZ, mbetet e paqartë se sa ndikim real ka ky mekanizëm dhe nëse afërsia e ekspozuar me Trumpin do të përkthehet në përfitim konkret politik brenda Kosovës.
Roli i Ramës dhe mungesa e koordinimit me Kurtin
Në analizë përmendet edhe një dimension rajonal. FAZ, duke iu referuar burimeve jozyrtare në Prishtinë, shkruan se Osmani nuk ka vepruar në koordinim me kryeministrin Albin Kurti në këto iniciativa, por se ndihmë për qasje në rrethin e Trumpit dyshohet t’i ketë ofruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gazeta e lidh këtë me marrëdhëniet e tensionuara mes Ramës dhe Kurtit, duke sugjeruar se Rama mund ta shohë Osmanin si kundërpeshë politike ndaj liderit të Vetëvendosjes. Në këtë kontekst, përmendet edhe raporti i Ramës me Jared Kushnerin dhe projektet e investimeve të përfolura në Shqipëri.
“Kandidatja e Trumpit” përballë mungesës së votave
FAZ thekson se presidentja e Kosovës zgjidhet nga Kuvendi dhe se, sipas vlerësimeve të gazetës, Osmani nuk e ka të garantuar një shumicë të qartë parlamentare. Në këtë sfond, artikulli sugjeron se ajo po përpiqet ta ndërtojë imazhin e “kandidates së preferuar të Washingtonit”, me llogaritjen se deputetët do të hezitojnë ta refuzojnë një figurë që perceptohet si e mbështetur nga SHBA-ja.
Madje, sipas një burimi të cituar nga FAZ, në Prishtinë qarkullon përshtypja se mesazhi i nënkuptuar është se mosrizgjedhja e saj mund të krijojë probleme në raportet me Shtetet e Bashkuara. Gazeta shton se një logjikë e tillë mund të ketë funksionuar në të kaluarën, por vë në dyshim nëse ende ka të njëjtin efekt.
