Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka kritikuar ashpër aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe duke pretenduar se në këtë rast është zbatuar “drejtësi selektive”.
Hasani, gjatë një paraqitjeje në emisionin “Tempus” në T7, tha se problemet në qasjen e trupit gjykues, sipas tij, mund të vëreheshin që në fillim të leximit të aktgjykimit.
“Si ia ka filluar me lexu letrën hyrëse, që në fjalinë e dytë e kam parë qasjen, aty shihej që është shumë keq”, deklaroi Hasani.
Ish-kreu i Kushtetueses pretendoi se elementet e aktgjykimit nuk ishin strukturuar në mënyrë objektive dhe subjektive.
“Elementet e aktgjykimit nuk ishin as objektive, as subjektive, dhe ishte tërësisht abstrakt”, u shpreh ai.
Hasani shkoi edhe më tej në kritikat e tij, duke pretenduar se mënyra se si është përcaktuar drejtësia në këtë rast tregon, sipas vlerësimit të tij, se synimi ka qenë dënimi dhe jo gjetja e së vërtetës.
“Për mua janë tri mënyra të përcaktimit të drejtësisë. Kjo tregon që qëllim ishte patjetër vetëm dënimi e jo e vërteta, pasi që e vërteta s’mundet të gjendet menjëherë, duke i përjashtuar të gjitha metodat, dhe kjo është drejtësi selektive”, deklaroi Hasani.
Megjithatë, ai theksoi se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë.
“Tek e fundit, kjo është vendim i shkallës së parë, dhe është total aktgjykim i papranueshëm”, tha Hasani.
Çështja e spiunëve në aktgjykim
