Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë në një intervistë se dispozitivi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituim të Kuvendit është “jashtëzakonisht i qartë” dhe nëse ka vullnet politik, procesi mund të finalizohet.
Megjithatë, ai i ka identifikuar disa “defekte” që sipas tij e bëjnë problematik vendimin: urdhri që seancën ta vazhdojë Avni Dehari, edhe pse, sipas Hasanit, ai ka kryer shkelje kushtetuese, dhe pse deputetët janë urdhëruar të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë, por pa u bërë publike masat ndëshkuese.
Ai është shprehur i bindur se mungesa e masave ndëshkuese është pasojë e, siç e quan ai, “ndërhyrjes” së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në drejtësi, përmes deklarimeve të saj publike.
Gjykata Kushtetuese më 8 gusht vendosi që kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur, duke e urdhëruar Deharin që t’i kthehet rendit të ditës, siç ishte caktuar më 8 prill.
Në vendim u tha se emri i një kandidati për kryeparlamentar, mund të hidhet në votim vetëm deri në tri herë, teksa deputetët do të kenë kohë të përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30-ditësh pasi aktgjykimit të publikohet në Gazetën Zyrtare.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Hasani, si e vlerësoni aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 8 gushtit?
Enver Hasani: Arsyetimi ende nuk ka dalë dhe unë do ta komentoj vetëm diapozitivin. Nga dispozitivi shihet se ka një qartësi se çfarë duhet të bëjnë palët në këtë rast, pra deputetët lidhur me konstituimin.
Në aspektin profesional mendoj se është e çuditshme se si mund të konstatohet shkelja kushtetuese e zotit Avni Dehari dhe i njëjti të urdhërohet të vazhdojë aty ku e ka shkelur Kushtetutën. Kjo nuk mund të arsyetohet me standardet e gjyqësisë kushtetuese. Dhe e dyta, ju e dini, edhe në aktgjykimin e vitit 2014, edhe në atë të para një muaji të Gjykatës Kushtetuese është thënë se deputetët duhet të rrinë dhe të votojnë, por tani i urdhëron. Edhe kjo bie ndesh me postulatin e mandatit të lirë dhe besoj se kjo është vështirë e pajtueshme me standardet kushtetuese.
Mendoj se gjykata ka gabuar në këtë drejtim sepse është dashur t’i vë në dukje sanksionet, nëse deputetët nuk e konsitituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, siç është ndonjë decertifikim, humbje e mandatit, e kështu me radhë. Në këtë kuptim mendoj se janë dy defekte, që në aspektin e gjyqësisë dhe të drejtës kushtetuese janë pak të pajtueshme. Në pjesën e qartësisë, nëse ka vullnet të mirë, dispozitivi është jashtëzakonisht i qartë.
“Gjendja jokushtetuese nisi kur Dehari e ndryshoi rendin e ditës”
Radio Evropa e Lirë: Tani kush duhet ta caktojë seancën dhe kur mund të thirret ajo?
Enver Hasani: Diapozitivi thotë se duhet të thirret sipas datës kur zoti Dehari e ka bërë propozimin për votim të fshehur, atë që e bëri në mënyrë arbitrare, mënyrën e ndryshimit të rendit të ditës, gjykata ka urdhëruar ekzekutimin e rendit të ditës të datës 8 prill. Duhet të ekzistojë një pikë se kur ka nisur gjendja jokushtetuese. Gjendja jokushtetuese ka nisur në momentin kur zoti Dehari e ka ndryshuar rendin e ditës. Zoti Dehari duhet të vazhdojë seancën ashtu siç ka qenë caktuar më 8 prill, kur është caktuar skenari i konstituimit të Kuvendit. Pra, duhet të numërohen 30 ditë nga fillimi.
Radio Evropa e Lirë: Si do të duhej të zgjidhej ky aspekt, që i është dhënë mandati sërish zotit Dehari, nëse ka bërë shkelje kushtetuese?
