Për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave, që pritet të mbahet më 9 nëntor, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës. Në rrethin e dytë të Zgjedhjeve Lokale, në ato komuna që do të mbahen këto zgjedhje, votimi jashtë Kosovës përmes postës do të organizohet vetëm për shtetasit që janë regjistruar nga 23 korriku deri më 29 gusht.
Sipas të dhënave ende jopërfundimtare, rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të Komunave do të mbahet në 18 komuna, ndërkaq numri i votuesve jashtë Kosovës që i takojnë vetëm këtyre komunave është: 29,712.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se kjo është një çështje e rregulluar me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës.
“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar me sukses gjatë periudhës së aplikimit për rundin e parë dhe vetëm për komunat ku do të zhvillohet rundi i dytë. Nuk do të hapet një periudhë e re për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, pasi do të përdoret e njëjta listë e votuesve e miratuar më herët. Numri i përgjithshëm i shtetasve që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, në rundin e parë është 43,933. Nga ky numër do të zbriten votuesit e regjistruar në komunat në të cilat s’do të ketë rund të dytë”, tha ai.
