Për herë të parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë vetës detyrë që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës t’ua dërgojë përmes postës pakot me fletëvotime për të votuar në Zgjedhjet Lokale.
Ky shërbim pritet të realizohet për 43 mijë e 933 shtetasit e Kosovë, të cilët aplikuan dhe u regjistruan për të votuar përmes postës në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress se procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime është duke vazhduar, derisa votimi me postë jashtë Kosovës zyrtarisht ka nisur me datë 17 shtator. Deri më tani, më shumë se 15 mijë pako individuale me fletëvotime janë dërguar jashtë Kosovës. Me mijëra të tjera pritet të dërgohen deri në fund të kësaj jave.
“KQZ synon që brenda javës të përmbyllë procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 44 mijë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale. Është hera e parë që KQZ i ka dhënë vetes detyrë që shtetasve të cilët regjistrohen për të votuar përmes postës, të i’a dërgoj përmes postës pakon me nga dy fletëvotime: një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal”, tha Elezi.
