Liria e mediave në Kosovë ka pësuar rënie që nga viti 2023, pas një sërë zhvillimesh negative, duke kërkuar veprim të menjëhershëm politik nga qeveria, vlerësoi një mision ndërkombëtar për lirinë e mediave, ku morën pjesë Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe organizata të tjera.
Pas një vizite dyditore në Prishtinë, në kuadër të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, delegacioni konstatoi se niveli i qëndrueshëm i lirisë së mediave në Kosovë është zëvendësuar me një periudhë përkeqësimi gjatë tre viteve të fundit.
“Megjithëse Kosova vazhdon të ketë një peizazh mediatik pluralist, nivele të ulëta të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe legjislacion kryesisht të harmonizuar me standardet evropiane, disa standarde janë minuar nga partia në pushtet, Vetëvendosje”, thuhet në komunikatën e EFJ-së.
Ndër shqetësimet kryesore, sipas vlerësimit janë: miratimi i një ligji për media (më pas i shpallur antikushtetues), i cili do të rriste kontrollin politik mbi Komisionin e Pavarur të Mediavem financimi i pamjaftueshëm dhe presioni politik ndaj RTK-së si dhe rritja e vazhdueshme e sulmeve verbale dhe denigrimit të gazetarëve nga zyrtarë të partisë në pushtet.
“Këto zhvillime kanë dëmtuar progresin e mëparshëm të Kosovës në fushën e lirisë së mediave dhe kanë cenuar statusin e saj si një ndër vendet më të avancuara në rajon në këtë drejtim”.
Sa i përket sigurisë së gazetarëve, delegacioni vlerësoi përmirësimet në trajtimin e rasteve nga prokuroria dhe gjykatat. Strategjia e re e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën 2026–2028, e cila prioritizon rastet që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe paditë SLAPP, është mirëpritur dhe tashmë ka dhënë rezultate konkrete me trajtim më të shpejtë të rasteve.
Megjithatë, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, numri i rasteve të denigrimit, diskreditimit dhe ngacmimit online ndaj gazetarëve – sidomos nga figura politike – është rritur ndjeshëm, duke arritur kulmin në vitin 2025. Një burim kryesor i këtyre sulmeve janë politikanët e Vetëvendosjes.
Delegacioni shprehu shqetësim të veçantë për përdorimin e narrativave toksike nga zyrtarë të kësaj partie, të cilët i etiketojnë gazetarët kritikë si “mercenarë serbë” apo “agjentë të huaj”.
“Në rastin e mediave të komuniteteve jo-shumicë, presionet shtohen edhe nga kërcënime të jashtme dhe mungesa e qasjes në informacion në gjuhët e tyre”.
