Prokuroria e Romës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Mark Antony Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sulës, në mars të vitit të kaluar.
Sipas akuzës, i riu e vrau me thikë vajzën dhe më pas hodhi trupin e saj, të futur në një valixhe, në një humnerë.
Samson, i cili ka pranuar krimin, akuzohet për vrasje me paramendim dhe fshehje të kufomës. Gjatë seancës gjyqësore, prokurorët deklaruan se krimi “ishte planifikuar dhe u ekzekutua me gjakftohtësi”.
Procesi po zhvillohet në sallën bunker të burgut Rebibbia në Romë. Sipas hetimeve, Samson e ka goditur Ilarian tre herë me thikë në qafë në apartamentin e tij në Romë. Pas vrasjes, ai dyshohet se e fshehu trupin në një valixhe dhe e hodhi në një humnerë në Capranica Prenestina.
Prokuroria e cilësoi dosjen hetimore si “të rëndë dhe me prova të forta”, ndërsa Samson akuzohet për vrasje të rëndë me paramendim, motive të ulëta dhe fshehje të trupit, shkruajnë mediat.
