Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A., të cilët dysohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Atyre iu caktua masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, si dhe obligohen të paraqiten në stacion policor.
Sipas Gjykatës, të pandehurve kjo masë do t’iu llogaritet deri më 8 tetor 2026.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar dhe ndaj të pandehurve G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A., ka caktuar masën Ndalimi për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, e cila masë të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, duke u llogaritur nga data 08.09.2026 deri më datë 08.10.2026”, thuhet në njoftim.
