Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, ka deklaruar se do të ishte për keqardhje nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të ishte e përfshirë në presione ndaj delegatëve të LDK-së lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë.
Duke folur për një ftesë për kafe që një delegat i LDK-së ka marrë nga këshilltarja e presidentes Osmani dhe vetë presidentja, Dushi ka thënë se nuk mund të nxjerrë përfundime vetëm nga një takim apo telefonatë.
“Nuk mund ta dimë arsyen e vërtetë pse e ka ftuar për kafe zonjën delegate këshilltarja dhe zonja presidente. Do të më vinte shumë keq nëse këto presione ndaj delegatëve kanë qenë të involvuara edhe nga zonja Osmani”, ka deklaruar Dushi.
Ai ka thënë se LDK-ja e ka mirëpritur Osmanin në zgjedhjet e qershorit, pavarësisht historisë së përplasjeve politike me disa figura që, sipas tij, kanë qenë të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje.
