Dokumente me shenja të Departamentit amerikan të Shtetit, të gjetura të premten në mëngjes në qendrën e biznesit të një hoteli në Alaskë, zbuluan detaje të paditura më parë dhe potencialisht të ndjeshme në lidhje me takimet e 15 gushtit midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin në Anchorage.
Tetë faqe, që duket se janë prodhuar nga stafi i ekipit të SHBA-së dhe që janë lënë pas aksidentalisht, përmbanin vendndodhjet dhe oraret e sakta të takimeve të samitit dhe numrat e telefonit të punonjësve të qeverisë amerikane.
Rreth orës 9:00 të mëngjesit të së premtes, tre mysafirë në Hotel Captain Cook, një hotel me katër yje i ndodhur 20 minuta nga Baza e Përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage ku u mblodhën udhëheqës nga SHBA-ja dhe Rusia, gjetën dokumentet e lëna pas në një nga printerët publikë të hotelit.
Faqja e parë zbulonte sekuencën e takimeve për 15 gusht, duke përfshirë emrat specifikë të dhomave brenda bazës në Anchorage ku ato do të zhvilloheshin. Gjithashtu zbulonte se Trumpi kishte ndërmend t’i jepte Putinit një dhuratë ceremoniale.
“POTUS për presidentin Putin”, thuhet në dokument, “Statuja e Shqiponjës Tullace Amerikane”.
Të shtunën, zëvendëssekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, i hodhi poshtë dokumentet si një “menu dreke me shumë faqe” dhe sugjeroi që lënia e informacionit në një printer publik nuk përbënte shkelje të sigurisë. E Departamenti i Shtetit i SHBA-së nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Faqet 2 deri në 5 të dokumenteve renditnin emrat dhe numrat e telefonit të tre anëtarëve të stafit të SHBA-së, si dhe emrat e 13 udhëheqësve shtetërorë të SHBA-së dhe Rusisë. Lista ofronte shqiptues fonetikë për të gjithë burrat rusë që pritej të ishin pjesëmarrës në samit, përfshirë atë ku shkruante “Z. President POO-tihn”.
Faqet 6 dhe 7 përshkruanin se si do të shërbehej dreka në samit dhe për kë. Një menu e përfshirë në dokumente tregonte se dreka do të mbahej “për nder të shkëlqesisë së tij Vladimir Putin”.