Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka pritur në takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, dhe zëvendësdrejtorin Mustafa Dauti, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin dhe reformat doganore ndërmjet dy vendeve.
Në këtë takim Llugaliu tha se bashkëpunimi me Doganën e Maqedonisë së Veriut ka sjellë rezultate pozitive, veçanërisht në reformën për deklarimin para mbërritjes, ndërsa theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave.
“Këtë vit kemi pasur edhe Doganën e Maqedonisë së Veriut, me të cilën kemi zhvilluar një sërë reformash doganore. Shumë prej tyre kanë të bëjnë me reformimin dhe inicimin e deklarimit para mbërritjes. Kjo ka dhënë disa rezultate shumë pozitive, megjithatë është një reformë shumë kërkuese, një detyrë shumë kërkuese. Por, gjithsesi, shohim se rezultatet në përgjithësi janë shumë të kënaqshme. Pra, ky është një vlerësim për përpjekjet tona dhe presim që të ndërtojmë me Administratën Doganore të Maqedonisë së Veriut mbi progresin që kemi arritur. Për këtë arsye, ne konsiderojmë se shkëmbimi i informacionit dhe shkëmbimi i përvojave në këtë drejtim është shumë progresiv”, tha ai.
Llugaliu e cilësoi si histori suksesi edhe funksionimin e pikës së përbashkët të kontrollit “One Stop Shop” në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

