Ndërsa garuesit për Komunën e Prishtinës po zhvillojnë betejën e tyre politike në prag të zgjedhjeve lokale të së dielës, një vëmendje e veçantë po bie edhe mbi partnerët e tyre – njerëzit që qëndrojnë pranë tyre në çdo hap, shpesh duke i mbështetur në heshtje, por me ndikim të dukshëm në imazhin dhe energjinë e tyre publike.
Kush janë ata që mund të bëhen “Zonja e Parë” apo “Zotëriu i Parë” i Prishtinës?
Përparim dhe Kristale Rama (Foto: Kristale Rama/Facebook)
E lindur dhe rritur në SHBA me rrënjë shqiptare, Kristale Ivezaj Rama është një emër i lidhur ngushtë me artin, kreativitetin dhe aktivizmin kulturor. Ajo është themeluese e The Balkan Artists’ Guild dhe e platformës Even Walls Have Ears , që promovon artistët e Ballkanit dhe krijon ura kulturore nëpërmjet ekspozitave e projekteve ndërkombëtare, sipas të dhënave që gjenden në llogarinë e saj në platformën LinkedIn .
Përveç këtyre iniciativave, Kristalja është gjithashtu iniciatorja dhe udhëheqësja e projektit “Prishtina’s Children’s Library ”, një iniciativë për të rinovuar sa më shumë hapësira leximi për fëmijët. Si vullnetare, ajo ka mbledhur mbi 150,000 euro për organizata joqeveritare dhe bamirësi kosovare, duke synuar që këto organizata të fitojnë maksimumin e dukshmërisë dhe mbështetjes publike. Për tre vitet e fundit, ajo ka kryer këtë punë vullnetare pa pagesë dhe planifikon ta vazhdojë kështu, duke vendosur interesin e komunitetit mbi çdo gjë tjetër.
Në një intervistë për Telegrafin në maj të vitit 2024, Kristale pati theksuar ndjenjën e saj të fortë të përkatësisë ndaj kryeqytetit:
“E shoh Prishtinën si një familje të madhe. Si familjen time. Edhe pse nuk jam një zyrtare e zgjedhur, jam e martuar me dhe mbështes personin që mban postin më të lartë në zyrën publike të qytetit, çka më jep një aleancë me publikun. Si banore e Prishtinës, ndjehem gjithashtu pjesë e këtij komuniteti. Ndihem e detyruar të pasuroj qytetin ku jetoj, veçanërisht për fëmijët tanë dhe anëtarët më të cenueshëm të komunitetit”.
Kristale Ivezaj Rama (FOto: UNICEF)
Çifti Rama kanë tre fëmijë – Arra, Tigri dhe Broni , dhe njihen për lidhjen e tyre të fortë familjare dhe për stilin e jetës që shpesh ndërthur artin, arkitekturën dhe humanizmin.
Hajrulla Çeku dhe Eli Gashi (Foto: Hajrulla Çeku/Instagram)
Për ndryshe nga bashkëshorti i saj, ministri dhe kandidati për kryetar të Prishtinës Hajrulla Çeku, Eli Gashi është një figurë më e rezervuar në publik. Megjithatë, në fushën profesionale ajo ka një profil mbresëlënës.
Sipas profilit të saj në LinkedIn, ajo është përfaqësuese e Universitetit të Iowa-s në Kosovë, me mbi një dekadë përvojë në reforma arsimore, zhvillim institucional dhe menaxhim të projekteve të financuara nga donatorë ndërkombëtarë. Eli ka udhëhequr një projekt me vlerë 3.9 milionë dollarë të financuar nga USAID , që synonte transformimin e arsimit të lartë në Kosovë përmes lidhjes me sektorin privat.
Hajrulla Çeku dhe Eli Gashi (Foto: Hajrulla Çeku/Instagram)
Me gjithë sukseset e saj profesionale, ajo zgjedh të qëndrojë larg vëmendjes mediatike dhe të përqendrohet në familje.
Çifti Çeku janë prindër të dy vajzave, dhe mbajnë një balancë të kujdesshme mes karrierës dhe jetës familjare, duke e mbështetur njëri-tjetrin në sfidat publike dhe private.
Uran Ismaili dhe Arizona Bërdynaj (Foto: Arizona Bërdynaj/Instagram)
Energjike dhe moderne, Arizona Bërdynaj është një profesioniste që kombinon përvojën në sektorin publik me atë në teknologji. Sipas të dhënave që figurojnë në profilin e saj në LinkedIn , aktualisht punon si eksperte i strategjisë së shitjeve në industrinë e Tech & Telecom , me eksperiencë të gjatë në menaxhim, inovacion dhe transformim digjital.

