Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se mbyllja e dyerve të Kuvendit rikthen pamje të errëta për Republikën e Kosovës.
Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Behrami ka deklaruar se salla e Kuvendit është vendi i punës së deputetëve dhe duhet të jetë e hapur sa herë që ata kanë nevojë për të qenë të pranishëm apo për të ushtruar funksionin e tyre.
“Salla e Kuvendit është vendi i punës të deputetëve dhe ajo duhet të jetë e hapur sa herë ne kemi nevojë, qoftë për prezencë, qoftë për punë, qoftë për performancë. Ajo duhet të jetë e hapur”, ka thënë Behrami.
Ai ka bërë të ditur se deputetët e PDK-së do të paraqiten në Kuvend dhe do ta përsërisin këtë çdo 48 orë, derisa, sipas tij, të jepet urdhër për thirrjen e seancës.
“Ne si PDK do të jemi nesër në Kuvend dhe do të jemi çdo 48 orë në Kuvend derisa Albin Kurti t’i japë urdhrin zotit Dehari”, është shprehur Behrami.
Behrami ka akuzuar Kurtin se, sipas tij, ka zëvendësuar institucionet dhe rregullat e Republikës me atë që ai e cilësoi si “skriptën e Lëvizjes Vetëvendosje”.




