Detaje të reja për krimin e rëndë në Livoç, mjekët: 30 vjeçarja mori tetë plumba, i plagosuri në gjendje të rëndë
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani bëri të ditur se i dyshuari për vrasjen e dyfishtë është vetëdorëzuar në Stacionin e Policisë pak minuta pas rastit tragjik.
Të premten në ora 14:25 policia e Kosovës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët në këtë komunë, ku si pasojë mbetën të vdekur një 30 vjeçare së bashku me vëllain e saj. Personi i tretë është plagosur rëndë, konfirmoi Hashani për KosovaPress.
Ai tha se ende nuk dihen motivet e rastit.
“Policia e Kosovës rreth orës 14:25 e ka pranuar një informatë se në Livoç në Gjilan ka pasur të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se aty ka ndodhur një rast i rëndë, që na ka tronditur të gjithëve. Bëhet fjalë për nja vrasje të dyfishtë dhe një plagosje. Dyshohet se plagosja është e rëndë, sepse personi i lënduar është dërguar në Qendrën Emergjente në Gjilan, pastaj për shkak lëndimeve u dërgua në QKUK. Për momentin nuk dihen motivet e rastit. Edhe forenzika, edhe hetuesit dhe prokurori i shtetit kanë dalë më vendin e ngjarjes dhe me përkushtimin më të madh po i hetojmë rrethanat”, tha ai.
Pas vetëdorëzimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
“Nuk kam informatë saktë pas sa kohe, por për një kohë shumë të shpejtë është vetëdorëzuar në Stacionin policor në Gjilan, hetuesit rajonalë kanë filluar me procedurat intervistuese në bazë të ligjit, në prani të avokatit mbrojtës”, tha ai.




