Një veprim i shpejtë dhe i guximshëm i zyrtarit policor Besim Arifi ka shpëtuar jetën e një 72-vjeçari në fshatin Muzeqinë të Shtimes.
I moshuari kishte rënë aksidentalisht në bunarin e shtëpisë, në një thellësi prej rreth 10 metrash. Në pamundësi për ta nxjerrë, banorët kërkuan ndihmën e policisë.
Tre zyrtarë policorë, bashkë me shefin e ndërrimit që ishte jashtë detyrës, iu përgjigjën menjëherë rastit. Arifi zbriti në bunar dhe, me ndihmën e kolegëve, arriti ta nxjerrë të moshuarin në siguri.
72-vjeçari fillimisht u dërgua për trajtim në QKMF-në e Shtimes, e më pas në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Detaje për KosovaPress ka dhënë komandanti i stacionit policor në Ferizaj, Haxhi Behluli.
“Me datën 10 gusht rreth orës 20:34, stacionin policorë në Shtime ka pranuar një informacion që Muzeqinë, në rrugën “Veteranët e Lirisë”, në familjen Ibrahimi një i moshuar ka rënë në bunar. Njësia policore në Shtime, ka vepruar në këtë drejtim, kanë qenë tre policë së bashku edhe shefi i ndërrimit, që ka qenë jashtë detyrës, iu është bashkangjitur policëve dhe kanë pa që në këtë lokacion, është një i moshuar që kishte rënë në thellësi afër 10 metra në bunarë. Disa banorë kanë qenë duke e ndihmuar të moshuarin, por ka qenë e pamundshme”, tha Behluli.
Ai bëri të ditur se shpëtimtari ishte zyrtari policor, Besim Arifi, i cili me ndihëm e policëve të tjerë, përmes shkallëve për një kohë të shkurtër e kishte shpëtuar atë.

