Mediat ndërkombëtare kanë shkruar sot për dështimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në formimin e qeverisë së re pas daljes nga zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti.
Agjencia e lajmeve Reuters në artikullin e saj ka pohuar se Parlamenti i Kosovës dështoi të zgjedhë Albin Kurtin si kryeministër të dielën, duke rritur gjasat që të shpallen zgjedhje të parakohshme për të thyer një bllokim politik pas një votimi parlamentar jo përfundimtar në shkurt.
“Kurti, kreu i partisë Vetëvendosje, i cili aktualisht shërben si kryeministër në detyrë, mori vetëm 56 vota në parlamentin me 120 vende – pesë më pak se shumica e nevojshme për të formuar një qeveri.”
“Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), votuan kundër kandidaturës së Kurtit,” shkruhet në artikullin e Reuters.
Më tej theksohet se mbetet e paqartë nëse presidenti i vendit do t’i kërkojë partisë së vendit të dytë apo të tretë të formojë një qeveri. Duke cituar partitë opozitare, PDK-në dhe LDK-në, Reuters shkruan se të dyja subjektet kanë thënë se mendojnë që duhet të mbahen zgjedhje të reja.
“Partitë opozitare kanë refuzuar të qeverisin me Kurtin, duke kritikuar mënyrën se si ai i ka trajtuar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj perëndimorë dhe veprimet e tij në veri të Kosovës, ku jeton një pjesë e pakicave serbe,” shkruan Reuters.
