Dëshmitarja e mbrojtjes në rastin ndaj Endrit Nikës, doktoresha Blerina Gashi, ka deklaruar se shtetasja argjentinase Maria Clara Urdangaray, pas rënies nga kati i gjashtë i hotelit në Fushë-Kosovë, ishte e vetëdijshme, lëvizte dhe komunikonte me ekipin mjekësor, raporton Ekonomia Online.
Duke dëshmuar në seancën e rigjykimit, Gashi, e cila punon në QKMF-në e Fushë-Kosovës dhe kishte qenë pjesë e ekipit që e kishte marrë pacienten me autoambulancë, ka thënë se gjatë transportit kishte komunikuar me të në gjuhën angleze.
“Në QKMF Fushë Kosovë, vazhdoj të punoj në të njëjtin vend si doktoreshë. Kam dhënë deklaratë në polici dhe në gjykatë, për këtë rast. Kam dërguar email në adresë të prokurorit të shtetit, lidhur me dokumentacion mjekësor, i kam dhënë sqarim që nuk ekziston një dokument në QKUK. Kam qenë kujdestare, është marrë thirrja që dikush ka rënë nga kati gjashtë, kemi shkuar pacientja ka qenë e vetëdijshme, e lëvizshme dhe ka komunikuar. E kemi marrë në autoambulancë, gjatë kohës që kemi qenë në autoambulancë rrugët e frymëmarrjes i ka pasur të lira, nuk ka pasur fraktura të jashtme që janë vërejtur, kemi vendosur terapinë në autoambulancë edhe gjatë tërë rrugës, kemi biseduar me pacienten në gjuhën angleze”, tha ajo.
E pyetur nëse e kishte pyetur pacienten nëse ishte hedhur vetë apo nëse dikush e kishte shtyrë, dëshmitarja ka thënë se ajo ishte përgjigjur negativisht në të dyja pytjet.
“Emri, mbiemri çfarë moshe ka, a ka tentu me u hudh vetë apo, e ka shtyer dikush. Dy përgjigjet e saj kanë qenë jo, jo. Ka pasur maci dhe të brendshme të veshur”,tha ajo.
