Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka thënë se mbështet fuqishëm njohjen e Kosovës nga Ukraina, duke bërë të ditur se për këtë çështje ka sponsorizuar edhe një projektligj në parlamentin ukrainas.
Në një intervistë për KosovaPress, Goncharenko ka komentuar qëndrimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili gjatë vizitës në Serbi deklaroi se qëndrimi i Kievit ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar.
“Jam përkrahës i fuqishëm i njohjes së Kosovës si shtet të pavarur nga Ukraina. Kam sponsorizuar një projektligj për këtë çështje në parlamentin ukrainas. Fatkeqësisht, presidenti Zelensky ka një qëndrim tjetër. Gjithashtu, situata është mjaft e komplikuar për ne tani, në mes të luftës. Do të ishte më mirë që kjo të bëhej para se të fillonte pushtimi në shkallë të plotë, sepse tani çdo hap që ndërmerr Ukraina vlerësohet edhe nga aspekti se si do të ndikojë në situatën tonë, e cila është shumë e vështirë”, ka thënë ai.
“Nga Kyiv Independent te Ukrainska Pravda e Hromadske” – mediat ukrainase shkruajnë për reagimin e Kosovës ndaj Zelenskyt
Goncharenko ka vlerësuar lart mbështetjen që Kosova dhe qytetarët e saj i kanë dhënë Ukrainës, duke thënë se dy popujt e kuptojnë njëri-tjetrin për shkak të përvojave tragjike që kanë kaluar.
Ai ka thënë se është i njëjti kërcënim që përdor Rusia edhe në Ballkanin Perëndimorë, duke përdorur grupe margjinale serbe.
Sipas tij, Ukraina dhe Kosova duhet të kenë një partneritet serioz.
“Patjetër që e dimë se populli i Kosovës e mbështet Ukrainën dhe se refugjatë ukrainas kanë qenë në Kosovë. Në përgjithësi, mendoj se ukrainasit, fatkeqësisht, së bashku me popullin e Kosovës, e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër në Evropë tani se çfarë është gjenocidi, sepse populli i Kosovës e ka kaluar këtë, ndërsa ukrainasit po e përjetojnë. Prandaj, ne e kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin. Ky është i njëjti kërcënim që Rusia paraqet ndaj Ukrainës. Është i njëjti kërcënim me të cilin Rusia ndikon në Ballkan dhe dëshiron ta vërë atë në flakë, duke përdorur disa grupe margjinale serbe. Kemi shumë të përbashkëta në historinë tonë, fatkeqësisht në historinë tragjike dhe atë të kohëve të fundit. Mendoj se Ukraina dhe Kosova duhet të kenë një partneritet shumë serioz”, ka thënë ai.
Zelensky në Beograd: Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin për Kosovën
Deputeti ukrainas ka thënë se Ukraina duhet të komunikojë edhe me Serbinë, por ka kritikuar afërsinë e Beogradit me Moskën, duke shpresuar se një ditë nuk do ta mbështes Rusinë.
“Ukraina duhet të flasë edhe me Serbinë dhe presidentin serb – të flasim me të gjithë”, tha Goncharenko
“Ne duhet të flasim me të gjithë. Ukraina duhet të flasë edhe me Serbinë dhe presidentin serb. Por të gjithë e dimë se Serbia është ndoshta vendi më i afërt me Rusinë në Evropë sot. Mendoj se ky është një gabim i madh i Serbisë, por është zgjedhja e tyre. Shpresoj që një ditë Serbia edhe ta ndryshojë këtë, të heqë dorë nga kjo mendësi imperialiste dhe të kuptojë se duhet të ndërtojë një Serbi të re si shtet, jo një perandori ballkanike. Por e kuptoj se sot, fatkeqësisht, shumë serbë nuk e ndajnë këtë pikëpamje”, ka theksuar ai.
Goncharenko ka komentuar edhe largimin e flamurit të Ukrainës nga hapësira publike në Prishtinë nga kryetari Rama, pas deklaratës së Zelenskyt, duke e konsideruar një veprim të gabuar.
Sipas tij, flamuri ukrainas përfaqëson mbështetjen për popullin e Ukrainës dhe jo për një president të caktuar.
“Mendoj se ishte gabim, sepse ky flamur ishte një sinjal i rëndësishëm i mbështetjes për popullin ukrainas, jo për Zelenskyn personalisht. Sot president i Ukrainës është Zelensky, nesër do të jetë dikush tjetër. Por populli ukrainas po lufton jo vetëm për lirinë tonë, por në realitet po mbron të gjithë Evropën, përfshirë edhe Ballkanin. Prandaj, mendoj se ishte gabim nga ana e kryetarit të Prishtinës që ta bënte këtë. E kuptoj se ai dëshironte të tregonte një reagim ndaj deklaratës së presidentit Zelensky. Por, edhe një herë, nuk bëhet fjalë për presidentin, por për popullin ukrainas”, ka shtuar ai.
Konjufca i reagon Zelenskyt: Kosova qëndroi krah Ukrainës pavarësisht mosnjohjes
Rikujtojmë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pak ditë më parë gjatë qëndrimit në Beograd ka deklaruar se qëndrimi i Ukrainës për Kosovën mbetet i pandryshuar, ndërsa ka falënderuar Serbinë për qëndrimin ndaj integritetit territorial të Ukrainës.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, ka thënë Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.