Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, tha se janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për zgjedhjen e presidentit, por akuzoi kryeministrin Kurti për zvarritje të procesit. Në një bisedë për RTV21, deputeti Gashi tha se qytetarët nuk i kanë dhënë mbështetje Kurtit për zgjedhjen edhe të presidentit për të cilin duhen 80 vota.
“Partia në pushtet duhet të iniciojë takime për presidentin, por deri më tash nuk e ka bërë. Për PDK-në është gjithmonë me rëndësi që t’i japim drejtim vendit. Zgjedhjet janë të parëndësishme që të shkohet tash, sepse Kosova ka kaluar disa faza të zgjedhjeve dhe duhet t’i japë Kosovës institucione të qëndrueshme, duke i pasur parasysh edhe problemet e mëdha ekonomike, sidomos në këto pesë vitet e fundit sa ka qeverisur LVV-ja. Deri tani nuk ka ndonjë lëvizje. PDK-ja i ka qëndrimet e njëjta, sepse mendojmë se Kosovën nuk duhet ta drejtojë vetëm një subjekt politik. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës për zgjedhjen e presidentit e ka të përcaktuar se 80 deputetë duhet të jenë të pranishëm dhe, për t’i pasur 80 deputetë, duhet të ketë edhe marrëveshje, sepse qytetarët nuk ia kanë dhënë mandatin kryeministrit aktual që ta zgjedhë vetë presidentin. Në këto rrethana duhet të ketë një marrëveshje. Në këtë kuptim, PDK-ja është e gatshme të japë kontributin e vet, edhe në të kaluarën edhe tani.”, tha Gashi.
