Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, teksa partitë opozitare kërkuan më shumë informacione nga Qeveria lidhur me pagesat dhe pakot që do të ofrohen.
Projektligji u miratua me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme.
“Është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët. Me sigurimin e detyrueshëm çdo qytetar do të ketë qasje të barabartë në shërbimet bazë shëndetësore, duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare individuale dhe duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë”, tha Vitia.
Ai tha se ky projektligj po ashtu siguron fonde të qëndrueshme për sistemin shëndetësor.
“Me këtë ligj themelohet Fondi i kujdesit të detyrueshëm shëndetësor, përfshirë funksionimin, financimin e Fondit të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor të Kosovës”, tha ai.
Sipas ministrit, projektligji parasheh të prezantojë disa metoda të pagesës për shërbimet e kujdesit shëndetësor që mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm. Megjithatë, ai nuk dha detaje lidhur me pakot që do të ofrohen apo tarifat që do të jenë për to.
“Skema e mbulimit të barnave jashtëspitalore është identifikuar si alternativa më e mirë për këtë shërbim shtesë dhe vlerë të shtuar”, tha Vitia.
Sipas tij, projektligji bazohet në parimin e barazisë dhe nuk do të ketë dallim në qasjen e shërbimeve shëndetësore mes personave që përmes kontributeve kanë sigurim shëndetësor, apo familjarëve të tyre që varen nga ky shërbim, apo pjesës së popullsisë që sigurimin shëndetësor ia mbulon shteti, duke shtuar se grupet e cenueshme do të përjashtohen nga kontributet.
Gjatë debatit, deputetët nga partitë opozitare vunë në pah se ka shumë paqartësi lidhur me këtë ligj.
