Mentor Demi, ekspert i fushës së minierave nga Oda e Minierave të Kosovës, në EURO n’T7 ka thënë se gasifikimi i thëngjillit, projekt për të cilin po insiston qeveria, mund të realizohet, por rrethanat kanë ndryshuar shumë dhe koha e nevojshme për fillimin e tij mund të zgjasë deri në 15 vjet.
Sipas tij, Kosova ka mjaftueshëm thëngjill për ta shfrytëzuar për nevoja të ndryshme, por aktualisht nuk ekziston asnjë studim fizibiliteti që tregon se si mund të realizohet gasifikimi, cilat janë përfitimet dhe cilat pasojat e këtij projekti.
Demi ka thënë se, paralelisht me hartimin e një studimi të fizibilitetit për projektin e gasifikimit, i cili mund të zgjasë dy deri në tre vjet, vendi duhet t’i përkrahë projektet që lidhen me gjeopolitikën, siç është projekti i LNG-së, përkatësisht gazit amerikan.
“Projekti i gazit amerikan është çështje strategjike për ne, duke marrë parasysh faktin se edhe shtete që nuk janë aleate të SHBA-së, siç është Serbia, i kanë thënë po këtij projekti. Moskyçja e Kosovës do të ishte skandal në vetvete. Megjithatë, është mirë që për secilin projekt t’i kemi të gjitha parametrat”, ka thënë Demi.
