Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se do t’i monitorojnë me kujdes ata në Bosnje dhe Hercegovinë që “i japin përparësi përfitimit politik në vend të sigurisë energjetike, të mbështetur në energjinë e besueshme amerikane dhe në ndërprerjen e varësisë nga gazi rus”.
Kështu u përgjigj Departamenti amerikan i Shtetit në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me takimet e fundit të zyrtarëve të entitetit Republika Sërpska (RS) me përfaqësues të kompanisë energjetike ruse Gazprom, në një kohë kur Bashkimi Evropian po paralajmëron ndërprerjen graduale të importeve të gazit rus.
“Duke pasur parasysh se BE-ja po e heq gradualisht gazin rus deri në vjeshtën e vitit 2027, Bosnja dhe Hercegovina nuk mund t’ia lejojë vetes vonesa”, u tha në përgjigjen e DASH-it.
Zyrtarët e Republikës Sërpska, mes tyre edhe përfaqësues të Qeverisë së entitetit dhe lideri i partisë në pushtet, Millorad Dodik, gjatë ditëve të fundit kanë zhvilluar bisedime me drejtuesit e Gazprom-it në Shën Petersburg.
Vizita në Rusi vjen në një kohë kur autoritetet e RS-së vazhdojnë përgatitjet për ndërtimin e gazsjellësit të njohur si Ndërlidhja e Re Lindore, projekt që vlerësohet se kushton 500 milionë euro.
Ky gazsjellës pritet ta lidhë këtë entitet me rrjetin në Serbi, përmes të cilit Bosnja dhe Hercegovina aktualisht furnizohet ekskluzivisht me gaz rus.
Pas takimit në fund të majit, ministri i Energjetikës dhe Minierave të RS-së, Petar Gjokiq, konfirmoi se ky entitet i Bosnjës dhe Hercegovinës mbetet një partner i rëndësishëm i Gazprom-it në zhvillimin e infrastrukturës së gazit.
Bosnja dhe Hercegovina aktualisht është plotësisht e varur nga gazi rus, me të cilin furnizohet përmes Serbisë nëpërmjet Rrjedhës Turke.
