Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është përmbyllur shtypja e fletëvotimeve të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025 dhe gjatë ditës do të arrijnë në Kosovë.
KQZ thotë se shtypja e fletëvotimeve është bërë në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë, nën mbikëqyrjen e anëtarëve të KQZ-së dhe stafit të Sekretariatit të KQZ-së.
Gjithashtu, KQZ tha se janë shtypur broshurat e kandidatëve të Zgjedhjeve Lokale 2025, të cilat do të shpërndahen në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.
“Në bazë të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale do të shtypen gjithsej 3,600,820 fletëvotime, nga të cilat 1,800,410 për secilën lloj të zgjedhjeve. Ky numër përfshin fletëvotimet për të gjitha mënyrat e votimit: në vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe rezervat”.
