Çmimet e konsumit në Kosovë kanë vazhduar të rriten edhe gjatë korrikut, duke e çuar inflacionin vjetor në 6.5 për qind. Krahasuar me qershorin, çmimet janë rritur për 0.6 për qind, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.Të dhënat e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) tregojnë se rritja e çmimeve në korrik 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, është ndikuar nga një numër i madh i kategorive të konsumit.
Rritjen më të madhe vjetore e ka regjistruar transporti, me 17.8 për qind. Pas tij renditet grupi strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse, ku çmimet janë rritur për 11.1 për qind.“Në muajin korrik 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 6,5 % krahasuar me muajin korrik 2025. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (17,8 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (11,1 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,3 %); restorante dhe shërbime akomodimi (5,3 %); shëndetësi (4,0 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,7 %); veshje dhe këpucë (2,8 %); ushqime dhe pije joalkoolike (2,7 %); mobilie, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (2,5 %) dhe rekreacion, sport dhe kulturë (2,3 %).”
Rritje prej 5.3 për qind është regjistruar edhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, ndërsa me të njëjtën përqindje janë rritur edhe çmimet në restorante dhe shërbime akomodimi.Në grupin e shëndetësisë, çmimet janë rritur për 4.0 për qind, ndërsa kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme kanë shënuar rritje prej 3.7 për qind.
Çmimet e veshjeve dhe këpucëve janë rritur për 2.8 për qind, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike, një nga kategoritë kryesore të shpenzimeve të familjeve, kanë shënuar rritje prej 2.7 për qind.Rritje vjetore është regjistruar edhe te mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e shtëpisë, me 2.5 për qind, si dhe te rekreacioni, sporti dhe kultura, me 2.3 për qind.

