Eugen Cakolli nga Instituti Demokraik i Kosovës ka reaguar për vendimet që ka marrë sot Qeveria në detyrë, në një mbledhje të mbajtur në mënyrë elektronike.
Cakolli ka thënë se këto vendime janë jashtë çdo kontrolli institucional.
Përtej përmbajtjes së secilit prej 24 vendimeve të sotme, sipas tij, problemi kryesor qëndron te vetë “kabineti qeveritar” që i ka marrë, sepse 19 nga 21 anëtarët e tij janë deputetë të certifikuar dhe vazhdimi i tyre në funksione ekzekutive bie drejtpërdrejt ndesh me nenin 72 të Kushtetutës.
“Albin Kurti dhe 18 të tjerët që figurojnë në përbërjen e Qeverisë në detyrë janë tashmë deputetë të certifikuar që nga 8 korriku. Prej atij momenti, vazhdimi i tyre në Qeveri është i papajtueshëm me Kushtetutën, ndërsa mandatet e tyre qeveritare kanë përfunduar sipas Ligjit për Qeverinë. Prandaj, çdo vendim i marrë prej tyre, qoftë si ministra veçmas apo kolektivisht si anëtarë të Qeverisë, është marrë pa autoritet ligjor.”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka thënë se ky standard tashmë është vendosur nga Gjykata Supreme në rastin e ish-ministrit Hekuran Murati, kur Gjykata e pati anuluar aktin e nxjerrë prej tij pas certifikimit si deputet, me arsyetimin se certifikimi ia kishte përfunduar mandatin qeveritar dhe kompetencën për të vepruar si ministër.

