Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në aksionin kundër trafikimit të kokainës, Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se masa e paraburgimit të pandehurve iu caktua nën dyshimin se gjashtë të pandehurit kanë kryer veprën penale të shitblerjes së narkotikëve, si dhe të pandehurit Haraqija edhe për armëmbajtje pa leje.
Aktvendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake, Gazmend Bahtiri pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
Në seancë dëgjimore, prokurori Arben Hoti ka thënë se qëndron pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, duke thënë se hetimet e nisura në prill 2026 zbuluan se grupi i organizuar kriminal udhëhiqej nga Jeton Stanovci i njohur si “Daja”.
Prokurori thuhet se deklaroi që grupi furnizohej me substanca narkotike përmes Mërgim Stanovcit, Astrit Haraqija dhe Alban Malokut, kurse lënda ndahej në një banesë dhe më pas shpërndahej përmes Gëzim Fekës, Arijanit Beqirit dhe Albert Krasniqi, i cili thuhet se zëvendësoi Beqirin për shkak të dyshimeve të ngritura nga lideri i grupit.
Hoti ka thënë se furnizimet dhe barazimet financiare bëheshin në baza javore nën evidencën e rregullt të Jetonit, ndërsa paratë dërgoheshin përmes anëtarëve të grupit ose të pandehurës Albana.
Në vendim thuhet se i pandehuri Jeton Stanovci ka kundërshtur kërkesën për paraburgim, duke thënë se në 4-5 pronat e tij, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Edhe mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj e kundërshtoi në tërësi kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se nga kontrollet nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në lokacionet e të mbrojturit të tij.



