Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka deklaruar se Albulena Haxhiu mund të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e ushtrueses së Presidentes edhe pas marrjes së mandatit të deputetes, pasi, sipas tij, seanca konstituive e Kuvendit nuk është përmbyllur ende.
Cakolli për Ekonomia Online ka thënë se mandati i deputetit merret që në momentin e certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por ka theksuar se Rregullorja e Punës së Kuvendit përcakton vazhdimin e funksioneve të kryetarit dhe nënkryetarëve të legjislaturës paraprake deri në përmbylljen e seancës konstituive.
“Në raport me mandatin e deputetit, së pari duhet bërë e qartë që deputetët mandatin e marrin që nga momenti i certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra çështja e betimit nuk e përmbyll marrjen e mandatit si të tillë. Deputetët bëhen deputetë në momentin kur KQZ-ja i certifikon rezultatet e zgjedhjeve. Dhe në këtë drejtim zonja Haxhiu e ka marrë mandatin si deputete që në muajin e kaluar kur KQZ-ja i ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Në këtë drejtim, rregullorja e punës së Kuvendit përmban një dispozitë, dhe nuk duhet harruar që rregullorja është një prej akteve me shumicën më të cilësuar që votohet në Kuvend përveç ndryshimeve kushtetuese, pra me 80 vota, edhe si e tillë ka peshën kushtetuese. Dhe aty përcaktohet që kryetari apo kryetarja dhe nënkryetarët e Kuvendit vazhdojnë funksionin e tyre deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, seanca konstituive përmbyllet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
“Tash interpretimi i seancës konstituive duhet të bëhet në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton që seanca konstituive përmbyllet vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Që nënkupton se për sa kohë nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe nuk është përmbyllur seanca konstituive, kryesia e legjislaturës paraprake vijon të ketë kompetenca vetëm për qëllimet e vazhdimësisë institucionale”, tha ai.
Cakolli ka deklaruar se në rrethanat aktuale nuk ekziston një pozitë tjetër kushtetuese që mund ta marrë funksionin e ushtruesit të detyrës së Presidentit, duke argumentuar se Haxhiu mund ta vazhdojë këtë funksion deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
“Për më tepër, në situatën e tanishme nuk ka asnjë pozitë tjetër kushtetuese në vend e cila mund ta marrë funksionin e ushtruesit të detyrës së presidentit, andaj rrjedha e vetme llogjike edhe e kuptueshme në këtë situatë mbetet që zonja Haxhiu ta ushtrojë atë dhe këtë ka mundur ta bëjë jo vetëm për shkak se është bërë deputete, por edhe sikur të mos zgjidhej fare deputete, që të mbante pozita tjera apo të mos garonte fare në zgjedhje, ajo do të vijonte ta mbante pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit. Situata është më diskutabile kur dihet, kur kemi parasysh faktin që tashmë kemi një Kuvend i cili ka dështuar ta përmbushë një obligim kushtetues, pra atë të konstituimit brenda afatit 30 ditor. Dhe në këtë drejtim është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të ofrojë qartësi mbi atë se çfarë ndodh tash kur nuk kemi Kuvend të konstituuar brenda një afati kushtetues, që unë besoj do ta zgjidhte jo vetëm krizën aktuale të cilën e kemi por do të ofronte një rrugëdalje edhe nga situata për sa i përket ushtrimit të detyrës së funksionit nga ana e zonjës Haxhiu apo cilitdo kryetar të ardhshëm të Kuvendit”, tha ai, për Ekonomia Online.
Hulumtuesi i KDI-së ka thënë se çështja e moskonstituimit të Kuvendit mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga të paktën 10 deputetë, ndërsa ka përmendur afatin për një veprim të tillë.
“Fatkeqësisht Kushtetuta për sa i përket kontestimit të akteve të Kuvendit apo veprimeve ose mosveprimeve siç është ky në raport me moskonstituimin e tij, është e drejtë që e gëzojnë vetëm deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse palët e tjera të cilat e kanë këtë të drejtë të tillë mund ta bëjnë këtë vetëm në kuadër të çështjes së kompetencave apo konflikteve mes kompetencave të institucioneve, që nuk është rasti aktual. Deputetët e Kuvendit, përkatësisht të paktën 10 sosh kanë afat 8 ditor gjithsej nga momenti i shkeljes së supozuar që ta dërgojnë një rast në Gjykatën Kushtetuese, që nënkupton se tashmë jemi vetëm 4 ditë para skadimit të kësaj mundësie kushtetuese”, tha ai.
“Që nënkupton se deputetët opozitarë, në rastin e njëjtë besojnë që kemi të bëjmë me një shkelje kushtetuese dhe shkelje të aktgjykimit, do të kenë kohë vetëm edhe katër ditë për ta dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që e njëjta të japë një verdikt për të paktën unë besoj tre çështje kryesore”, tha ai.




