Bujar Haradinaj ka reaguar ndaj procesit të zgjedhjeve të brendshme në degën e AAK-së në Gjakovë, duke thënë se ato po zhvillohen me “të njëjtët aktorë dhe vetëm role të ndryshme”.
Sipas tij, për vite me radhë partia është kapur nga grupe interesi dhe persona që, sipas tij, nuk kanë dhënë kontribut real, por janë ngritur në pozita duke anashkaluar ata që e kanë mbajtur gjallë Aleancën me punë dhe sakrificë.
Haradinaj theksoi se kontributdhënësit e hershëm janë lënë në hije, ndërsa siç u shpreh ai “parashutistët” janë bërë vendimmarrës.
Reagimi i plotë;
Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – dega në Gjakovë, ka rihapur të ashtuquajturat zgjedhje të brendshme, me të njëjtët aktorë dhe vetëm role të ndryshme.
Për vite me radhë, kjo parti është kapur nga grupe interesi dhe shfrytëzues të saj , njerëz që nuk kanë dhënë asnjë kontribut real, por janë ngritur në pozicione duke anashkaluar qëllimisht ata që e kanë mbajtur Aleancën gjallë me mund e sakrificë. Kontributdhënësit e hershëm janë shtyrë në hije, ndërsa “parashutistët” janë bërë vendimmarrës.
Nuk jam kundër prurjeve të reja, përkundrazi, ato janë të domosdoshme. Por kur të vjetrët përjashtohen dhe të rinjtë përdoren si vegla të grupeve të interesit, atëherë nuk kemi reformë, por manipulim të hapur.
Zgjedhjet e brendshme nuk janë teatër për riciklim të një rrethi të mbyllur, as trashëgimi për klane të caktuara. Ato duhet të jenë garë e drejtë, hapje reale dhe vlerësim i meritës. Pa këtë, çdo proces është vetëm fasadë.
Pa drejtësi për kontributdhënësit, nuk ka besim. Pa besim, nuk ka as unitet e as të ardhme.
Gjithsesi, suksese në këtë rrugë që, për fat të keq, po duket se po vazhdon në të njëjtin drejtim.