( Radio Evropa e Lirë ) – Komisioni Evropian ka përsëritur kërkesën ndaj autoriteteve të Serbisë që të hetojnë nëse gjatë protestës antiqeveritare në Beograd më 15 mars 2025 është përdorur top zanor.
“Ashtu siç është theksuar tashmë, presim një hetim të shpejtë, transparent dhe të besueshëm mbi pretendimet për përdorimin e armëve zanore kundër demonstruesve”, thuhet në deklaratën e shërbimit për shtyp të Komisionit Evropian.
Thirrja e re e institucioneve në Bruksel lidhur me përdorimin e mundshëm të topit zanor, të cilin autoritetet në Beograd e mohojnë, erdhi pasi mediat evropiane e aktualizuan sërish këtë çështje.
Portali “Politico” publikoi më 15 janar se shërbimet sekrete serbe, në bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), kanë testuar topa zanorë mbi qen, në kuadër të hetimit të pretendimeve të demonstruesve se gjatë protestës së 15 marsit ishte përdorur armë zanore.
Zyrtarë të Komisionit Evropian konfirmuan se janë në dijeni të “raporteve shqetësuese”.
“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen si zakonisht, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë”, u tha nga shërbimi për shtyp i Komisionit Evropian, duke rikujtuar se, sipas standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga lëndimet dhe dhuna.
Radio Evropa e Lirë shkroi në prill 2025 për raportin e FSB-së, të cilin atëherë e prezantoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq tha se hetimi i shërbimit rus, i cili për eksperiment “përdori qen”, kishte përfunduar se gjatë protestës në Beograd nuk ishte përdorur armë e ndaluar “top zanor”.
Në raportin që u publikua atëherë në faqen e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), thuhet se pajisjet zanore që zotërojnë organet policore serbe janë testuar mbi qen në poligonin e BIA-s.
Në raport theksohet se gjatë testimeve “objektet biologjike nuk kanë shfaqur shqetësim”, si dhe se tri ditë pas testimit nuk janë vërejtur ndryshime në gjendjen e tyre.
