Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, iu ndalua hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi u shpall kërcënim për sigurinë kombëtare, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burime të sigurisë.
Sipas tyre, vendimi u mor më 13 nëntor – katër ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd të urdhëronte paraburgimin e tij dhe ta shpallte në kërkim, pasi nuk u paraqit në polici më 15 nëntor.
Paraqitja e detyrueshme në polici ishte një nga masat e mbikëqyrjes të vendosura ndaj tij, në kuadër të procedurës që po zhvillohet për rastin e Banjskës, shkruan REL, përcjell KosovaPress.
Institucionet përgjegjëse të Bosnje dhe Hercegovinës nuk dhanë hollësi për vendimin dhe as arsyet përse Radoiçiq cilësohet kërcënim për sigurinë kombëtare.
Ndalimi nënkupton se, nëse Radoiçiq tenton të hyjë në Bosnje dhe Hercegovinë, atij do t’i refuzohet hyrja ose do të ndalohet në pikën kufitare apo në ndonjë vend tjetër të hyrjes në këtë shtet.
Vendimi vjen në kohën kur vendndodhja e Radoiçiqit mbetet e panjohur, pasi ai nuk ishte i qasshëm për organet e drejtësisë në Serbi, gjatë ditëve të fundit.

