Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Roberth Bosch, e ka cilësuar si skandaloz verdiktin që Gjykata Speciale e shqiptoi ndaj katërshës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me ish-presidentin, Hashim Thaçi.
Ai ka shfaqur habinë se si as trupi gjykues as prokurorët nuk i kanë marrë parasysh rrethanat e luftës në Kosovës, e as deklaratat e ekspertëve ndërkombëtar që ishin marrë me të, më shumë se një çerekshekulli më parë.
“Mendoj se është një vendim skandaloz. Por natyrisht është e qartë se gjyqtarët dhe prokurorët nuk i kanë dëgjuar ekspertët dhe atë që ekspertët u kanë thënë për strukturat e UÇK-së — se nuk kishte një strukturë të tillë. Këtë e kanë theksuar zoti Clark, zoti Hill, zoti Rubin dhe të gjithë ekspertët e tjerë, ekspertët e vërtetë.
Edhe unë e kam theksuar këtë, por natyrisht ata nuk më dëgjojnë fare, sepse, siç e dini, unë në atë kohë isha personi kontaktues ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes.
Dhe kjo është ajo që thoshin gjithmonë: UÇK-ja janë “çizmet në terren”, forcat në terren, por është shumë e vështirë të komunikosh me ta, sepse nuk ka strukturë.
Pra, si mund t’i akuzoni Thaçin dhe Rexhepin për koordinim, kur nuk kishte koordinim? Dhe gjithashtu ajo që njerëzit nuk e kuptojnë dhe e harrojnë është se kjo ka ndodhur 26 vjet më parë. Në atë kohë nuk kishte telefona portativë, iPhone nuk ekzistonte. Duhej të komunikoje përmes telefonit satelitor. Dhe telefoni satelitor — e kam përdorur edhe vetë — shumë herë nuk funksiononte. Prandaj ishte shumë e vështirë të kishte çfarëdo koordinimi”, tha Bosch për Kosovapress.
Sipas diplomatit që disa herë ka pranuar të jetë penduar pse ishte në anën që kërkonte themelimin e Speciales, koha ka dëshmuar se e njëjta duhet pushuar së ekzistuari.
“Sipas meje, e gjithë kjo gjykatë nuk duhet të ekzistonte. E gjithë kjo erdhi për shkak të raportit të Martyt. Raporti i Martyt fliste për trafikim organesh. Nëse kjo do të kishte qenë e vërtetë, natyrisht do të kishte qenë e tmerrshme. Dhe për këtë arsye të gjithë u shqetësuan dhe thanë: “Oh, është e tmerrshme, e tmerrshme, e tmerrshme.” Ata i besuan Martyt dhe thanë se kjo duhet të hetohet seriozisht. Dhe kështu nisi e gjithë kjo. Pasi gjyqtari Williamson hetoi dhe rezultoi se kjo nuk ishte e vërtetë, se nuk kishte trafikim organesh, se ishin thjesht histori të sajuara, atëherë, natyrisht, duhej të ndaleshin. Duhej të ndaleshin. Nuk kishte më arsye për të vazhduar, sepse kjo ishte arsyeja e vërtetë. Pra, e gjithë kjo gjykatë nuk duhet të ishte aty dhe nuk duhet të kishte ekzistuar”, tha ai.




